Duke rinovuar shtëpinë në Ghent, në të cilën para dhjetë vitesh ishte zhvendosur banka, një turk i cili me vite jeton në Belgjikë, gjeti afër 300 mijë euro, njoftojnë agjencitë e huaja të lajmeve.
Ferhat Kaya kishte blerë pronën prej bankës Dexia për 155 mijë euro, ndërsa kishte refuzuar ofertën e një mjeshtri për ta hequr arkën e vjetër të bankës për një shumë prej 3500 euro.
Në vend të kësaj, 33 vjeçari kërkoi ndihmë prej dy shokëve të tij. As nuk e conin ndërmend se në arkë mund të gjenin para.
“Kur e hapëm arkën gjetëm qese në të cilat gjendeshin kartëmonedha prej 20 dhe 50 euro. I numëruam gati 300 mijë euro”, tha Murat Tufan.
Pas bisedës me të atin, Kaya vendosi ta lajmërojë policinë, edhe pse pa problem ka mundur t’i mbajë paratë, pasi banka gjatë dhjetë viteve të fundit nuk i kishte kërkuar ato para.
“Edhe imigrantët janë njerëz të cilët besojnë se sinqeriteti është politika më e mirë”, tha Kaya.
Zëdhënësi i bankës belge Dexia, Ulrike Pommee, deklaroi se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.
“Me siguri bëhet fjalë për gabim njerëzor. Hetimet se si përfunduan paratë në arkën e harruar nuk do të jenë të thjeshta, pasi paratë humbën më 2001. Por do të punojmë në këtë rast e më pas do të vendosim nëse do ta shpërblejmë personin që ka gjetur dhe dorëzuar paratë”, tha Pommee.
No comments:
Post a Comment